Nga Bardha Nergjoni

Rea është një vajzë nga komuniteti egjiptian që ka përfunduar të gjitha nivelet e studimeve dhe po kështu ka bërë praktikë profesionale pranë ojf-ve. Ajo ka ndjekur të gjitha hapat, ka aplikuar në të gjitha strukturat shtetërore për tu punësuar për gati 3 vjet por ende nuk ka një punë të sigurt. “Ka qenë shumë e vështirë. Edhe pse kam përfunduar me nota të mira deri në nivelin master shkencor në fakultetin juridik sërish kjo nuk ka mjaftuar të më hapen dyert” thotë ajo ndërkohë që është në përpjekje për të disatën herë për të arritur punësimin në një institucion shtetëror ndërkohë që është duke përfunduar një tjetër stad profesional për të pasur një profesion të lirë. Rea është 25 vjeç dhe kërkon të qëndrojë anonime me shpresën se aplikimi i radhës do të jetë ai i suksesshmi për të qenë pjesë e administratës shtetërore.

“Nuk është se kjo gjë bëhet me komunitetet por me të gjithë të rinjtë. Ne nuk kemi ndonjë favorizim madje disavantazh do ta quaja” thotë ajo ndërsa shprehet se në asnjë rast nuk ka pasur një lloj nxitjeje që ajo të punësohej.

Kryesisht punët në të zezë dhe jo të preferuara nga mazhoranca janë ato që marrin pjesën më të madhe të punësimeve të komunitetit rom dhe egjiptian të përqendruara kryesisht në tregtim veshjesh të përdorura dhe në grumbullim të mbetjeve të riciklueshme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka firmosur në vitin 2019 deklaratën e Potzanit së bashku me kryeministra të tjerë të Ballkanit. Paketa për integrimin e romëve e firmosur në Poznan përfshinte si pikë të rëndësishme rritjen e shkallës së punësimit të romëve në sektorin publik në përqindjen proporcionale të pjesëmarrjes së romëve në popullatën e përgjithshme. Por ndërkohë nëse nuk ka një legjislacion nxitjeje të punësimit për komunitetet rome dhe egjiptiane, institucionet nuk kanë asnjë detyrim raportimi dhe sidomos zbatimi të kësaj deklarate. Të vetmet dokumente që ekzistojnë janë plani kombëtar i veprimit për punësimin e romëve dhe egjiptianëve që nxit më shumë formimin profesional se sa punësimin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Drejtoria Rajonale e Agjencise kombetare te Punesimit dhe aftesive në përgjigje të një kërkese për informacion deklaroi se nuk kishte një numër të të punësuarve në sektorin publik nga komunitetet egjiptiane dhe rome. “Nuk kemi një të dhënë të tillë me ndarje në bazë të komuniteteve per sektorin publik” tha drejtuesja e drejtorise Rajonale te Agjencise Kombetare te Punesimit dhe Aftesive Marsida Hyseni në përgjigje të kërkesës për informacion. Ndërkohë institucionet kontrolluese si inspektoriati i Punësimit nuk ka detyrimin ligjor të kërkojë numrin e personave të punësuar nga koto komunitete tek punëdhënësi shtet apo punëdhënësit privatë.

“Ju informojmë se informacioni i kërkuar nga ana juaj “Bazuar në Ligjin Nr.119/2014, Për të Drejtën e Informimit”, me objekt kërkesë për informacion, për punësimin e punëmarrësve Romë dhe Egjiptian të punësuar në institucione Shtetërore në nivel drejtuesish, specialistësh dhe në subjektet private, është informacion i cili nuk disponohet nga ana jonë për faktin se një ndarje e tillë nuk është e parashikuar në legjislacionin e punës mbi të cilin në operojmë” thuhet në përgjigjen e Inspektoriatit të Punës.

Ndërkohë bashkia Elbasan si institucioni vendor me numrin më të madh të të punësuarve nuk dha një informacion zyrtar mbi numrin e të punësuarve nga komunitetet rome dhe egjiptiane në këtë institucion si dhe statusin e këtyre nëpunësve.

Ervis Çota, drejtues i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome në Elbasan thotë se realiteti tregon krejt të kundërtën. 3-4 % është punësimi i individëve nga komunitete rome dhe egjiptiane nga të dhënat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, gjë që do të thotë që Shqipëria është shumë larg deklaratës së firmosur nga kryeministri që parashikon deri në 25% të të punësuarve në administratën publike nga komunitetet në minorancë.

“Nuk ka një numër apo një të dhënë zyrtare pasi dhe vetë institucionet publike nuk kanë të evidentuar këtë lloj ndarje të përkatësisë etnike, megjithatë nga verifikimet tona rezulton që niveli është i papërfillshëm. Megjithatë ka disa plane e strategji që nxisin punësimin e romëve dhe egjiptianëve. Në planin kombëtar ka përcaktimin e kuotave të caktuara të punësimit të dy komuniteteve. Nga plani i vjetër nuk rezultoi që të ketë të punësuar si rezultat i nxitjes nga ky plan. Shpresojmë që në planin kombëtar të ri të ketë një tjetër qasje.
Janë disa arsye pse nuk ka rezultate reale të nxitjes së punësimit nga këto politika punësimi thotë Çota. “Një prej tyre është niveli i financimit të programeve të punësimit. Individë nga dy komunitetet janë të orientuar drejt punëve informale si grumbullimi dhe riciklimi i mbetjeve si dhe shitja e rrobave të përdorura, të cilat gjenerojnë shumë më tepër të ardhura se sa ajo që ofrojnë programet e nxitjes së punësimit aktualisht. Një tjetër arsye është mungesa e varianteve të punëve të përshtatshme. Shpesh nuk përputhen ofertat e punës me aftësitë që kanë. Diskriminimi është tjetër shkak pse zgjidhen punë të vështira. Stigmatizmi që është krijuar si njerëz që nuk duan të punojnë, nuk e kanë qejf punën etj, dhe kjo i pengon të punësohen në një punë dinjitoze”.

Ervis Çota

Sa i përket programeve të punësimit Çota thotë se janë një lloj nxitjeje por jo mjaftueshëm interesante për shkak të nivelit të ulët të pagesave.

“Nuk ka një program fiks për punësimin e romëve dhe egjiptianëve. Në punësim i jepet përparësi këtyre komuniteteve. Favorizohen në mënyra të ndryshme si pagesa e kopshtit, pagesa e transportit. Këto nuk janë të mjaftueshme për të bërë të mundur që të nxisin romët dhe egjiptianët drejt një punësimi formal me një pagë të kënaqshme dhe me kushte pune normale. Tendenca është drejt punës informale jo se nuk e mendojnë çështjen e pensionit por pagesa është e pamjaftueshme dhe nuk i motivon drejt të ardhmes pa zgjidhur çështjen e tanishme të sigurimit të ardhurave të mjaftueshme”.

Sa i përket faktit që shumë të rinj e të reja edhe pas përfundimit të studimit apo të një praktike profesionale nuk janë punësuar, Çota thotë se arsyet janë të njëjta dhe diskriminimi mbetet shqetësim duke i penalizuar shpesh ata dhe duke demotivuar të tjerët të ndjekin rrugën e tyre. “Ne kemi shumë të rinj e të reja që kanë përfunduar arsimin e lartë dhe nuk janë mbështetur për punësim në shtet dhe privat. Kemi shumë të rinj e të reja që kanë bërë kurse të arsimit profesional por edhe këto nuk kanë arritur në shumicë të punësohen. Përgjithësisht për arsye diskriminimi, paragjykimi kundrejt këtyre dy komuniteteve, i mbajnë larg bizneseve apo ambienteve të punës duke mos i ofruar mundësi të barabarta”.

Nga të dhënat e Agjencise Kombetare te Punesimit dhe Aftesive mësohet se për vitin 2021 nga 87419 të papunë të regjistruar 7671 janë të komuniteteve rome dhe egjiptiane. Nga programet e Nxitjes së Punësimit në të gjithë shqipërinë kanë përfituar vetëm 147 persona nga këto komunitete ndërkohë që janë formuar profesionalisht brenda vitit 2021 155 persona.