Radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, terma me të cilët ndeshem jo pak herë pasi tashmë janë pjesë e fjalorit të përditshmërisë sonë dhe mund të them me keqardhje që këto dy terma po “pushtojnë” shoqërinë tonë. Them “pushtojnë” pasi janë bërë të përditshme dhe ne i hasim ato në shumë raste nëpërmjet rrjeteve sociale, televizorit dhe shumë pajisjeve të tjera që përcjellin informacion. Personalisht këto raste do t’i përkufizoja me fjalën “virus” me të cilin shoqëria e sotme po përballet. A thua se gjithçka në këtë botë është e lidhur me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm ?!
Nëse do të ndalesha tek ekstremizmi i dhunshëm do të përmendja këtu disa fusha në të cilën mund të ushtrohet si: bindjen politike, besimin fetar, besimin kulturor e shumë të tjera. Një ekstremist është totalisht e kundërta në krahasim me spektrin e zakonshëm të besimeve në një shoqëri. Një person i tille mund të bëhet i rrezikshëm kur ai përdor dhunën për të mbrojtur ose promovuar idetë, pikëpamjen dhe bindjet e tij.
Ekstremizmi i dhunshëm përfshin terrorizmin, por edhe çdo akt tjetër të urrejtjes përçarëse, ose të dhunshme, të nxitur nga motive ideologjike, fetare, politike etj. Mendoj se akte të tilla po bëhen problem për shoqërinë kryesisht adoleshentët pasi mosha e tyre delikate ndikon gjithashtu në nxitjen për t’i ushtruar ato në shoqërinë e tyre.
Radikalizmi që çon në dhunë është një proçes tjetër në të cilin individët adoptojnë një sistem besimesh ekstreme, përfshirë bindjen për të inkurajuar, lehtësuar ose përdorur dhunën me qëllim që të arrihet transformimi shoqëror dhe të imponohet një ideologji tjetër. Njerëzit që përdorin këto mënyra për të ndryshuar shoqërinë kanë metodat e tyre, disa jo të dallueshme për përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera të paligjshme. Unë mendoj se pikërisht ata që dinë të përcjellin aktet e tyre të ndaluara në një mënyrë të mirëmenduar janë më të rrezikshmit për shoqërinë.
Ajo çfarë dua ti them bashkëmoshatarëve të mi mbi këtë tema kaq të rëndësishme e cila po përhapet ndjeshëm në shoqërinë tonë është se ne duhet të mësojmë se si t’i adresojmë këto akte të dhunshme të radikalizmit dhe ekstremizmit. Sjell këtu në mendje fëmijërinë time dhe më kujtohet se si mësuesit apo prindërit na i shpjegonin lajmet jo të mira që mund ti dëgjonim. Pikërisht kjo është mënyra më e mirë që mjnd të zgjedhim për të adresuar këto problematika duke i folur ato me mësues, prindër apo me punonjës të shërbimeve psiko-sociale.
Bota dhe shoqëria ku ne jetojmë nuk ka vetëm probleme, prandaj le t’i japim më shumë kohë gjërave të bukura që kanë rëndësi për ne.

Xherina Likrama, nxënëse e klasës së XI-c në gjimnazin “Ahmet Dakli” dhe njëkohësisht koordinatore e Bordit Inovacionit te Këshilli Rinor Elbasan.