Ka hyrë në fuqi rregullorja e re e Policisë së Burgjeve, ku veç saktësimit se çfarë cilësohet shkelje nga punonjësit e kësaj policie, përcaktohen edhe mënyrat si mund të nisë ndjekja dispilinore dhe kush janë organet, apo institucionet që ndëshkojnë për shkelje.
Te shkeljet e rënda është përfshirë “përfitimi i padrejtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimeve preferenciale të çfarëdo lloji, të cilat jepen për shkak të detyrës që ushtron ose si rrjedhojë e shfrytëzimit të statusit si punonjës i Policisë së Burgjeve”.
Shkelje e rëndë e rregullores do të konsiderohet në vijim edhe mosnjoftimi i eprorit në rastet kur vihet re abuzim me detyrën nga kolegët e policisë së burgjeve.
“Mosnjoftimi, nga punonjësi i Policisë së Burgjeve, i eprorit dhe i autoriteteve kompetente, sipas ligjit, për ndërhyrjet ose format e tjera të ndikimit nga punonjësit e tjerë të Policisë së Burgjeve, avokatët, funksionarët politikë, funksionarët publikë ose subjektet e tjera”, thuhet në rregulloren e re.
Risia e rregullores është thjeshtimi i procedurave të ankesave që bëhen nga të burgosurit. Sipas rregullores së re, “kërkesën për fillimin e procedurës disiplinore mund ta paraqesin edhe të burgosurit. Kërkesa mund të paraqitet edhe verbalisht, përpara çdo punonjësi të Policisë së Burgjeve, i cili është i detyruar ta dokumentojë atë me shkrim dhe pasi të lexohet të nënshkruhet nga i burgosuri, si dhe punonjësi i Policisë së Burgjeve që administron kërkesën.
Më pas, Kërkesa regjistrohet menjëherë në librin e protokollit të IEVP-së dhe i dërgohet drejtorit të institucionit, drejtorit të Policisë së Burgjeve, ose drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve.
Gjithashtu, ankesa mund të ngrejë çdo punonjës i policisë së burgjeve, nëpunës, apo punëmarrës i tyre, ose i drejtorisë së përgjithshme të burgjeve. Në këto raste, ata duhet të raportojnë me shkrim te drejtori i burgut ku dyshohet se punonjësi i policisë së burgjeve ka kryer shkeljen disiplinore.
Kërkesat anonime, sipas rregullores, nuk pranohen për shqyrtim, përveç kur nga verifikimi paraprak rezulton se të dhënat e paraqitura përmbajnë informacion të mjaftueshëm për të filluar një proces disiplinor për shkeljen e pretenduar.
Autoritetet për dhënien e masave disiplinore janë ministri i Drejtësisë, drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, drejtori i Policisë së Burgjeve dhe drejtori i burgut. Masat disiplinore, që zbatohen ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve, janë si më poshtë:
a) vërejtje me shkrim;
b) vërejtje me paralajmërim;
c) shtyrje e afatit të ngritjes në gradë për 1 vit;
ç) largim nga Policia e Burgjeve.