Home Sociale Romët dhe egjiptianët, mbijetesa e vështirë me tregtinë e rrobave të përdorura...

Romët dhe egjiptianët, mbijetesa e vështirë me tregtinë e rrobave të përdorura dhe riciklimet

Punësimi në të zezë, mungesa e mbështetjes financiare, e sigurimeve dhe pensioneve, mungesa e shërbimeve shëndetësore, fëmijë që detyrohen të punojnë për bukën e gojës dhe paragjykimet, disa nga vështirësitë me të cilat përballet komuniteti rom dhe egjiptian.

Nga Ornela Shyti

Një jetë e ndërtuar mes shumë sfidave në luftën për të mbijetuar, e sikur të mos mjaftonte kjo, atyre ju duhet që të përballen edhe me paragjykimet duke ia shtuar edhe më shumë vështirësitë mbi supe.
Komuniteti rom në Shqipëri jeton më së shumti në Shqipërinë e Mesme dhe atë të jugut. Prej vitesh ata punojnë dhe mbahen me forcat e tyre për të mbijetuar. Por përveç vështirësive që hasin çdo ditë, ato janë të detyruar që të përballen edhe me mentalitetin e shqiptar, duke ndjerë për çdo ditë paragjykimet mbi supe. Komuniteti rom për çdo ditë haset me mjaft vështirësi në punë ku shumica merret me tregtimin e rrobave pa qenë të siguruar.

Ne intervistuam zonjën Klodiana Kallo e cila tregon në esencë se cilat janë vështirësitë e këtij komuniteti.

Intervista:

Sa vite keni që merreni me këtë punë ?
Unë kam mbi 15 vjet që merrem me këtë punë në këtë treg.

Jeni të siguruar dhe keni dikë nga familja që ju sjell të ardhura të tjera si për shembull të marrin pension?
Un këtu punoj në të zezë bashkë me bashkëshortin tim dhe nuk jemi të siguruar. Kjo është e vetmja e ardhur për familjen tonë që përbëhet nga shtatë persona. Vjehrri dhe vjehrra nuk përfitojnë pensione pasi edhe ato kanë punuar gjithë jetën në të zezë. Madje edhe ajo pak ndihmë ekonomike që marrim nuk na del as për ilaçe.

Po në shërbimet mjekësore si ju trajtojnë?
Unë për vete jam dorë e bardhë dhe bashkëshorti im është Rom. Njerëzit këtu janë shumë racistë dhe paragjykues. Si në klinikat mjekësore që nuk marrim mjekimin e duhur por edhe këtu në punë ndjehemi të paragjykuar. Gjithmonë më thonë si ka mundësi që ti ke marrë dorë rome.
Fëmijët këtu janë të detyruar që të punojnë që në moshë të vogël. Mbas mbarimit të shkollës ata vijnë në treg dhe ndihmojnë prindërit e tyre, për të mos thënë që ka edhe nga ato fëmijë që ndoshta nuk shkojnë në shkollë fare. Fëmijët i kanë ndjerë para kohe vështirësitë e jetës.

Sabian Hadinllari
Ju punoni këtu dhe merreni me shitjen e rrobave, ç’mund te na thoni për punën këtu?
Unë jam Sabian Hadinllarri dhe jam 19 vjeç. Jam në vit të dytë gjimnaz dhe mbas shkolle unë gjithmonë vij këtu që të ndihmoj mamin. Vij bashkë me vëllain që është më i vogël se unë. E bëja që i vogël këtë dhe vazhdoj ta bëj.

Jeni i siguruar apo prindërit e tu janë të siguruar?
Jo nuk jemi pasi kushton shtrenjtë dhe ne nuk kemi aq të ardhura sa për ti bërë të gjitha.

Po me ndihmë ekonomike trajtoheni?
Neve merrnim ndihmë ekonomike por na e prenë dhe nuk na e japin më. Na thane që jemi të rritur tani un dhe vëllai dhe mund të punojmë. Por të ardhurat me këtë punë nuk na dalin për asgjë.

Po shërbimet mjekësore si janë?
Ne nuk është se kemi shkuar shpesh por mund të them që herë na kanë ndihmuar, herë të tjera edhe jo.

Në fakt puna e tregtimit të rrobave është puna e parë më e shpeshtë që zgjedh ky komunitet ndërkohë që një pjesë janë ata që zgjedhin grumbullimin e materialeve për riciklim që gjithashtu janë informalë dhe pa të ardhme sa i përket pensionit të pleqërisë.
Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat, që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social. Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014.