Të miturit gjithmonë e më tepër përfshihen në krime më të rënda.
Viti i kaluar ka shënuar edhe ngjarjen më të rëndë të ndodhur mes të miturve, ngjarjen e qytetit të Gramshit ku tre adoleshentë u akuzuan dhe u dënuan për vrasjen e bashkëmoshatarit të tyre pranë shkollës 9-vjecare.
Duket se një vit më vonë vrasja e Martinit erdhi sërish po nga e njëjta skemë ngjarjeje pranë shkollës Fan Noli në një konflikt të lindur më parë dhe vrasje me të njëjtat mjete.
Ngjarje të tilla duhen të pasohen me përgjegjësi dhe transparencë sugjeron aktivisti dhe avokati Gentian Sejrani.
“E përbashkëta dy rasteve ka të bëjë me sistemin arsimor, i cili lë për dëshiruar. Sot kemi mungesë të theksuar të oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, kemi mungesë të theksuar të psikologëve apo numër të lartë të nxënësve që duhet të trajtojë një psikolog apo një punonjës social dhe nga ana tjetër nuk shohim asnjë hap pozitiv për sa i përket edhe momentit ku ndodhin ngjarje që të kishit një rritje të buxhetit të shtetit për Ministrinë e Arsimit për të rritur numrin e oficerëve të sigurisë apo edhe punonjësve socialë dhe psikologëve”
Por pse konfliktet e adoleshentëve përfundojnë dhunshëm?
Për psikologen Elona Mustafaraj i gjithë problemi qëndron tek modelet.
“Ajo që unë dua të ndalem pak është edhe mënyra se si brenda familjes edukohemi për të promovuar dhunën apo për të vazhduar me sjellje të dhunshme”- shprehet ajo.
Ndërkohë sa i përket rrjeteve sociale, Mustafaraj shprehet se kufizimi është zgjidhje pasi tendenca është filmimi, shpërndarja dhe denigrimi online i cdo rasti bullizimi, dhune, talljeje dhe kjo është mjaft e shprehur.
“Unë jam shumë dakort personalisht, për shkak se ne si shoqëri rezultojmë të paaftë për të monitoruar fëmijën në momentin që është duke përdorur një rrjet social. Adoleshentët çdo debat, diskutim, konflikt, I regjistrojnë për ta shpërndarë me qëllim vazhdimin e denigrimit të personit që është bullizuar, që është dhunuar e kështu me rradhë”- shprehet psikologia.
Mes shkollës 9-vjecare dhe gjimnazit janë regjistruar raste dhune që janë zgjidhur dhe ndalur në kohë nga stafet e shkollave dhe strukturat përkatëse. Gjithashtu ka pasur tentativa denigrimi online mes gjimnazistëve që Elona dhe Romina gjimnaziste nga Mahir Domi i sjellin në vëmendje.
“Një situatë që e kam dëgjuar, që ndodhi pothuajsenë të gjithë gjimnazet e qytetit të Elbasanit, ishte pjesa e hapjes së faqeve në Instagram, “spotet” e shkollave të ndryshme ku çdo nxënës shprehte mendimin e tij kundrejt një nxënësi të shkollës së tij, por anonim.
Aty shpreheshin ofendime, dhunë psikologjike dhe kërcënime nga më të ndryshmet dhe kjo përbëri një problem shumë madhor”- u shpreh Elona.
“Kam dëgjuar dhe mbaj mend nga klasa e nëntë, ka ndodhur një rast konflikti I cili nisi fillimisht online dhe më pas ka degraduar deri në dhunë fizike, por fatmirsisht ngaqë është parandaluar nga drejtoria e shkollës nuk ka pasur pasoja të rënda në konflikt”- tha mes të tjerash Romina.
Ato flasin gjithashtu për modelet e gabuara dhe steriotipet e reja të të rinjve. Dy gjimnazistet e shohin problemin tek promovimi i një jete joreale nga influencera të ndryshëm, të cilat bëjnë që adoleshentët të ndikohen duke i shtyrë ata drejt veprimeve negative.
“Promovimi në rrjetet sociale të situatave joreale i çon të rinjtë, i shtyn për të bërë veprime që mund të kenë pasoja. Shpesh herë kemi dëgjuar që rrjetet sociale janë një gënjeshtër e madhe duke qënë se përcjellin atë jetën e tyre personale dhe adoleshentët marrin shumë nga ata”- shpjegon Elona.
Psikologia Mustafaraj shpjegon se mungesa e filtrave dhe shfaqja pa kufizime online në rrjetet socile po dëmton të rinjtë.
Shkollat janë institucione të rëndësishme edukimi që duhet të marrin në dorë rolin e tyre ndërsa familjet duhet të kthehen në rolin e tyre bazë, edukimin në mënyrë që ndikimi i rrjeteve sociale, shoqërisë dhe influencimi online dhe ofline të jetë sa më i vogël.
Deri në ndërgjegjësimin e plotë viktima dhe vrasës adoleshentë do trondisin opinionin publik dhe do të lënë plagë të mëdha në familjet e tyre.